Çfarë mbetet pas 25 Prillit për shoqërinë shqiptare! Liberale, 24. 05. 2021
Zgjedhjet e Prillit thyen një tabu të madhe për
shqiptarët. Ato treguan se siguria për një rotacion pas dy mandateve të
qeverisjes së një partie, mund të të lëri në baltë. Shpesh, është pikërisht ajo
që e pengon rotacionin politik. Pas kësaj, shoqëria shqiptare u gjend në një
zbrazëtirë të madhe kuptimore, mbi atë që kishte ndodhur. Ajo nuk është gjendur
dhe nuk mendonte se do gjendej ndonjëherë në këtë “kurth”! Ajo nuk di si të
orientohet në këtë ‘vazhdimësi të tretë’!
As fituesit dhe as humbësit e zgjedhjeve të
25 Prillit nuk dinë si ta administrojnë këtë realitet. Fituesit bëjnë sikur fitorja
e tyre është një gjendje normale, por ftojnë humbësit në qeverisje! Humbësit
mundohen ti japin një dimension paranormal, duke fajësuar qytetarët që
masivisht paskan shitur votën, dhe ndërkombëtarët që njohin si demokratike këtë
‘masakër elektorale’!
Mirëpo, përveçse realitet në praktikë, ky “kurth”
është një nga gjendjet normale të demokracisë në teori. Ekzistojnë, gjithashtu,
shembuj pafund në historinë e demokracive botërore ku qeverisja i mbetet një
partie për tre apo më shumë mandate. Problemi i vërtetë këtu nuk qëndron te
‘vazhdimësia e tretë’ në vetvete, por te rutina “demokratike” që ka krijuar
shoqëria shqiptare.
Për shoqërinë shqiptare të këtyre 30 viteve
në tranzicion, demokracia është një teatër (dramë/ komedi/ tragjedi) me një
strukturë të përcaktuar shterueshëm. Në zgjedhjet e para pas-rotacionit fiton
qeveria, kurse opozita vjen ca kohë vërdallë duke akuzuar për vjedhje të
zgjedhjeve por gjithësesi i nënshtrohet rolit të humbësit. Kurse në zgjedhjet e
dyta, shoqërisë që i ka ardhur në grykë nga keq-qeverisja për tetë vite, zgjedh
‘të keqen më të vogël’, që i bie të jetë opozita; kurse ndërkombëtarët shtojnë
dozën e akuzave ndaj qeverisë, çfarë nënkuptohet nga publiku si mbështetje për
opozitën. Rezultati i kësaj skeme ka qënë gjithmon rotacioni politik.
Ky ishte një rezultat lehtësisht i
administrueshëm nga shoqëria shqiptare, gjysma ‘fituese’ lumturohej nga fitorja
e pas tetë viteve ‘humbje’; kurse gjysma ‘humbëse’ nuk ndihej edhe kaq keq pas
tetë vitesh fitore! Pak a shumë, ishte ky rezultat që siguronte një kohezion të
shoqërisë shqiptare në “demokraci”, gjë që rrezikohet shumë nga mungesa aktuale
e rotacionit.
Mungesa e rotacionit në këto zgjedhje, solli
rrezikun e një çarje të madhe për shoqërinë shqiptare. Gjysma ‘fituese’ nuk
ndihet më e lumtur se para zgjedhjeve, megjithëse ka siguruar ‘vazhdimësinë e
tretë’; kurse gjysma ‘humbëse’ ndihet thellësisht e pashpresë ndërsa fajëson
gjysmën tjetër të shoqërisë për këtë “fatkeqësi të jashtëzakonshme” që i ka
gjetur! Të mësuar edhe me ndihmën që ndërkombëtarët i kanë dhënë gjithmon
rotacionit drejt të ‘keqes më të vogël’, ajo shfaq edhe një ndjenjë
negativiteti ndaj demokracive perëndimore. Ky është dëmi i dytë që pëson
shoqëria shqiptare në udhëtimin e saj 30 vjeçar drejt demokracisë liberale.
Ky ishte produkti i rezultatit të zgjedhjeve
të 25 Prillit, dhe ajo me të cilën duhet të përballet shoqëria e sotme
shqiptare. Kohesioni social, veçanërisht në lidhje me parapëlqyeshmërinë
partiake, asnjëherë nuk ka qenë një pikë e fortë e saj, por asnjëherë kaq i
rrezikuar sa sot. Akoma më keq shfaqet situata në lidhje me marrdhënien me
vendet perëndimore. Gjysma ‘fituese’ beson se lideri i tyre është aq i aftë
saqë po e përdor perëndimin për të triumfuar mbi “armiqtë e brendshëm”; kurse
gjysma ‘humbëse’ ndihet e tradhtuar prej tij, aq sa beson se perëndimi “ka
tradhtuar vlerat e demokracisë liberale” duke mbështetur komunistët në pushtet!
Rruga për rikuperim nga dëmet e këtij
“kurthi”, që duket se i ka pësuar më shumë gjysma ‘humbëse’, mund të vij vetëm
nga Partia Demokratike. Jo vetëm se është ajo që përfaqëson dhe drejton
vullnetin politik të kësaj pjese të shoqërisë; por edhe se asaj i ka takuar
historikisht roli i emancipuesit shoqëror që nga fillesat e pluralizmit në
Shqipëri. Mbetet në dorën dhe mundësitë e diskursit dhe veprimit të saj politik,
të bëj të qartë për shoqërinë shqiptare dy gjëra thelbësore.
Së pari, se shqiptarët qofshin të majtë apo
të djathtë janë një komb, dhe ajo që i ndan është shumë më e vogël se ajo që i
bashkon. Në këtë kuptim patriotik e demokratik, edhe të majtët kanë të drejtën
e tyre të qeverisin nëse arrijnë të bëhen shumicë. Së dyti, se perëndimi nuk ka
hequr dorë nga mbështetja e shoqërisë shqiptare në udhëtimin e saj drejt
demokracisë. Në të kundërt, ai ka kuptuar se stimulimi i rotacionit vetëm për
të ruajtur stabilitetin, nuk prodhon dot themelet e domosdoshme për një
demokratizim të mëtejshëm shoqëror. Për të, rotacioni ka kuptim kur prodhon
qasje të ndryshme politike, dhe jo emra të ndryshëm në qeverisje.
Comments
Post a Comment