I pengmarrë nga ‘Shoqëria Politike’. Liberale, 01. 03. 2021
Konceptin ‘shoqëri politike’ e ka sjellë për herë të parë filozofi britanik John Locke pothuajse 250 vjet më parë. Sipas tij, njerëzit në ‘gjendje natyrore’ hoqën dorë nga pushteti ekzekutiv për të mbrojtur ‘të drejtat natyrore’ të tyre, për tu bashkuar në një ‘shoqëri politike’. Kësaj ja dorëzuan këto të drejta, “si një mënyrë më efikase për të arritur paqen dhe lumturinë”. Nga ana e saj ‘shoqëria politike’ ngriti institucione për ti mbrojtur në mënyrë të organizuar këto të drejta.
Locke dallonte të drejtën e lirisë, jetës
dhe pronës, si të drejta natyrore të individit. Për të, qeverisjet e ‘shoqërisë
politike’ kishin vetëm një detyrë, atë të mbrojtjes së këtyre të drejtave të
patjetërsueshme të individit. Ky ishte edhe kuti i tyre, kurse mos kryerja e
kësaj detyre apo akoma më keq shkelja e këtyre të drejtave ishte arsyeja pse qeveritë
duhet të largoheshin.
Në të njëjtin libër Locke na sqaron pse
është e rëndësisë bazike për ‘shoqërinë politike’, ajo që Dukheim do ta quante
‘solidariteti’. Locke mendonte se vetëm kështu sigurohet që ‘shoqëria politike’
të eci si një trup i vetëm. Në të kundërt ajo përçahet dhe kushdo ka të drejtën
të shkoj në rrugën që i cakton vetes, me fuqinë individuale ekzekutive të
mbrojtjes së të ‘drejtave natyrore’.
Kjo gjë mund të ishte e lehtë për kohën të
cilën Locke kishte në mendje, apo kohën kur ai i prezantoi këto mendime
filozofike, por nuk është në kohën e sotme. Të paktën jo në këtë fshatin tonë
globalist që synon të bëhet si Europa sot, por pa përshkuar udhëtimin e ‘shoqërive
politike’ europiane. Bile, edhe nëpërmjet parimeve të ndryshme, në mos të kundërta,
me ato mbi të cilat këto shoqëri perëndimore dhe demokratike janë organizuar
dhe funksionuar në 250 vitet e fundit.
Në një realitet të tillë, individi në një
‘shoqëri politike’ si kjo e Shqipërisë së dekadës së tretë të shekullit të
parë, të mijëvjeçarit të tretë, është thjeshtë një i pengmarrë nga qeveria e
vet. Të paktën unë kështu ndihem sot, kur qeverisjet e të shkuarës, së sotmet,
dhe ato që synojnë të bëhen qeverisja e së ardhshmes, më thonë se nuk kanë
ndërmend të mbajnë përgjegjësi për mos kryerjen e detyrës së tyre të vetme
bazike, atë të mbrojtjes së të drejtave të mia natyrore.
Me pak fjalë, qeverisjet jo vetëm nuk
largohen kur e shkelin arsyen e vetme për të cilën janë krijuar, por edhe synojnë
të vijnë në pushtet me premtimin se të vetmen gjë që nuk do të bëjnë kur të
vijnë në pushtet është mbrojtja e lirisë, jetës dhe pronës. U ndjeva i marrë
edhe që e shkruajtan këtë që shkruajta, imagjinoni çfarë janë individët që
premtojnë se do ta bëjnë! Por ata që e premtojnë e kanë seriozisht, bile edhe
ata që i duartrokasin këta që i premtojnë.
Që ta kuptojnë edhe ata të paktët që nuk e
kuptuan, kjo është njësoj sikur në spital të të kërkojnë pushtetin për të
ndërhyr kirurgjikisht në trupin tënd, duke të siguruar se ti do vdesësh. Apo në
një dyqan ushqimor të të kërkojnë që të furnizohesh me ushqime vetëm aty, duke
të të siguruar se ato ushqime do të helmojnë. Absurd është pak, çmenduri është
koncepti që i rri më mirë.
Mbi këtë pamoral, qeverisjet e ardhshme,
kërkojnë të zgjidhin një problematikë kriminale të krijuar nga ato vet. E kemi
fjalën për krimin e grabitjes shtetërore të pronës së pronarit legjitim. Kjo në
fakt, është akoma më çmenduri se ajo që prezantuam më parë. Qeverisjet, në këtë
rast të ardhshme, zotohen se faktin që qeverisjet e kaluara dështuan ti mbrojnë
të drejtën natyrore të trashëgimit të pronës, do ta “rregullojnë” duke grabitur
pronën e disa të tjerëve në vijim.
Megjithëse toka është aty prej 4.5 miliard
vjetësh, nuk ka ikur gjëkundi dhe nuk mund të iki edhe sikur të dojë,
qeverisjet e ardhshme nuk premtojnë ta kthejnë atë de jure dhe de fakto te
pronari legjitim. Me shumë vonesë dhe shumë kosto, kjo do të ishte vendosje e
moralit të ‘shoqërisë politike’ në të njëjtin nivel me atë të kohës për të
cilën na foli Lock. ‘Më mirë vonë se kurrë’ thotë shoqëria jonë politike për
rastet e shpeshta kur dështon ti bëj gjërat në kohën e duhur.
Në të kundërt, ato për të cilat zotohen
qeveritë e së ardhmes ndaj të shpronësuarve, është se do ti kompensojnë ‘vlerë
euopiane’ apo ‘vlerën e tregut’, sipas kohës kur janë duke u zotuar. Dhe
gjejeni pak ku do ti gjejnë kapitalet për kompensim?! Ato zotohen se do t’ja shtetëzojnë
individëve të ‘shoqërisë politike’ nga puna dhe pronat që kjo shoqëri krijon
dhe prodhon sot.
Me pak fjalë dhe konkretisht, unë që nuk kam
përfituar nga asnjë prej tre ligjeve për të cilat qeverisjet e kaluara kanë
shtetëzuar pronat e pronarëve të dikurshëm, duhet të paguaj më shumë taksa dhe
të pranoj më pak shërbime publike, sepse qeveritë e së ardhmes zotohen të
‘rregullojnë një padrejtësi të të shkuarës’ duke krijuar një rend të padrejtë
dhe antikushtetues në të ardhmen!
Locke, në veprën e tij monumentale ‘Traktati
i Dytë për Qeverisjen’, që frymëzoi katër revolucionet që sollën Pavarësinë e
Amerikës, Mbretërinë Kushtetuese të Britanisë, Republikën e parë Franceze dhe
Kapitalizmin mbarë botëror, ju dha një zgjidhje individëve që ndiheshin të
tradhtuar nga ‘shoqëria politike’ e tyre. Njerëzit primitivë të asaj kohe e
kishin një zgjidhje, kurse unë jo. Unë jam njeri modern, dhe si i tillë më
mbetet veçse skllavërimi socialist.
Comments
Post a Comment