A DO TË VIJ NJË DITË KUR AMERIKANËT TA NJOHIN TË VËRTETËN NGA RADIO TIRANA? Liberale, 06. 07. 2020
Prej vitesh nuk e ndiqja faqen e Zërit të Amerikës në facebook. Në fakt unë mbetem ndjekës formal i saj, por kisha vite që nuk i lexoja statuset e tyre me vëmendjen e dikurshme, dhe akoma më pak komentet që bënin njerëzit e tjerë në ato raportime e opinione. Hoqa dorë kur bezdisja nga komentet servile të ndjekësve të saj e tejkaloi masën e nevojës time për t’u njohur me qëndrimet e këtij institucini shumë të rëndësishëm për publikun shqiptar. Pa më të voglin dyshim, mënyra sesi radio ‘Zëri i Amerikës’ e pozicionon veten kundrejt ngjarjeve politike në Shqipëri, ka qenë grafia më e vlefshme për opininin publik në këto tre dekadat e fundit. Bile, për një grup shqiptarësh, të cilët nuk ishin të paktë, raportimet dhe opinionet e VOA përbënin të vetmen shpresë për ti mbijetuar komunizmit edhe përpara se ky të binte 30 vite më parë.
Në atë kohë unë mendoja se ishin vetëm të ‘rriturit’ e familjes time,
por në fund të vitit 1990-të kuptova sa të shumtë ishin ata që dëgjonin 'Zërin
e të Vërtetës'. E dëgjonin me frikën për jetën dhe nuk guxonin ta komentonin atë
që kishin dëgjuar. Në të kundërt, në vitet e tranzicionit, shqiptarët më shumë
e komentonin sesa e dëgjonin Zërin e Amerikës. Ndërsa komentet e tyre ngjanin
më shumë si lutje e falenderime ndaj “Zotërve” që ju sollën dhe po ju mbronin
demokracinë, sesa opinione racionale mbi shkrime redaksionale e gazetareske.
Kalimi i masës gjithmon prodhon një mbingopje, dhe kjo solli që unë prej vitesh
nuk e ndiqja më institucionin prej të cilit shqiptarët prej dekadash njiheshin
me të vërtetën. Do të ishte kështu deri pak javë më parë kur ngjarje të
jashtëzakonshme prekën Amerikën e madhe të demokracisë liberale.
Një oficer policie ushtroi dhunë vdekje prurëse mbi një qytetar
amerikan, dhe kjo ngjarje u kthye në një shkëndijë për një zjarr që po përfshin
gjithë vendin. Nuk kam ndërmend të harxhoj rreshta të këtij shkrimi të opininit
mbi çfarë po ndodh në Atdheun e Lirisë, sepse megjithëse të çensuruara me
kujdes të madh, ato ngjarje po vijnë në njohjen e çdo qytetari të botës
perëndimore. Thelbi i gjithçkaje është një urrejtje e frikshme e një pjese, jo
të anashkalueshme, të shoqërisë amerikane ndaj themeleve të Atdheut të tyre! Këta
po sulmojnë të gjitha vlerat e demokracisë amerikane, nisur nga baballarët
themelues që ndërtuan shtetin më demokratik që ka njohur historia moderne
botërore, flamurin kombëtar si shprehje e unitetit kombëtar, dhe liritë e
individit dhe pronën private mbi të cilin kanë ngritur rendin ekonomik dhe
politik për 244 vite.
Ishin këto ngjarje që rikthyen vëmendjen time të përqëndruar ndaj asaj
që unë e konsideroja; Institucionin e të ‘Vërtetës që vjen nga Liria’. Por ajo
që përjetova ishte zhgënjyese. Megjithëse kushdo e ka parë dhunën e ushtruar në
këto protesta apo zgjatime të tyre, radio Zëri i Amerikës na prezantoi me ‘protesta
paqësore’ dhe ‘protestues paqësor’! Protestuesit i vënë zjarrin Brooklyn-it dhe
gjithë Neë Yorkur; Minneapolis; Trenton-it të Neë Jersey-it, dëmtojnë e
grabisin qindra dyqane firmato të Manhattan, por për Zërin e Amerikës po
protestojnë kundër dhunës së policisë. Ata shtëngojnë me presion psikologjik e
me forcë fizike qytetarë të tjerë të kërkojnë falje të ulur në gjunjë që ‘janë
të privilegjuar se janë të bardhë’, apo të puthin këpucët e disa qytetarëve të
tjerë afro-amerikan, por për Zërin Amerikës po protestojnë për barazi racore.
Nëse e vërteta nuk mbretëron në të thënin dhe të shkruajturin, atje ka
probleme të mëdha me lirinë. Kjo është ajo që më shqetëson e më frikëson këto
kohë të vështira. Sigurisht që ndryshe me Shqipërinë e 1945, Amerika e 2020 nuk
do bjeri preh e ideologjive kriminale kolektiviste klasore apo racore. Dhe në
këtë kuptim, ndryshe nga shqiptarët e gjysëm shekullit të kaluar që të vetmen
shpresë për të mësuar të vërten e investuan te media e një vendi tjetër,
amerikanët e sotëm nuk e kanë të nevojshme sepse të vërtetën e kanë pjesë të
ADN-së së tyre kulturore. Ata do ta kuptojnë se ajo që ju duhet nuk është një
revolucion marksist që “tranformon” rrënjësisht shoqërinë amerikane, por një
evolucion që kërkon të përmirësoj përditë e nga pak individin, dhe do ti
largohen këtij përshtjellimi shoqëror që e ka pushtuar prej disa javësh.
Prandaj amerikanët do të vijojnë ta mësojnë të vërtetën nga Zëri i Amerikës dhe
jo nga Radio Tirana, Radio Moska apo Radio Pekini, fat që nuk e patën
shqiptarët, rusët e kinezët e para 30 viteve apo të sotëm.
Comments
Post a Comment